“Kam qenë ushtar i UÇK-së, gjatë luftës mbeta invalid, i humba të gjithë anëtarët e familjes përveç nënës“.

Me këtë rrëfim për jetën e tij, një shtetas nga Kosova me inicialet L.M., fitoi dhembshurinë e një avokati në Shqipëri dhe që muaj pas muaji i zhvati atij plot 1 milion e 20 mijë euro.

Por ndërkohë, burrit të arrestuar si mashtrues, i janë gjetur në telefon mesazhe nga policia dhe telefonata me persona publikë, si dhe pretendimi se ndërkohë ai po mbahej peng nga një grup i strukturuar keqbërës.

Për këtë fakt, i dyshuari nuk ka pranuar të japë asnjë detaj, ndërkohë që e dashura e tij është shpallur në kërkim policor pas aksionit të policisë që u inicua nga denoncimi i avokatit të njohur në Shqipëri.

Burimet zyrtare të policisë, se 51-vjeçari nga Kosova dhe rezident në Zvicër, duke luajtur me kartat e atdhedashësit dhe personit që kishte rrezikuar jetën në luftë, e ka joshur njëkohësisht avokatin B.R., shumë i njohur në vend, duke i treguar se kishte në një llogari bankare, pension invalidi prej 5 milionë frangash, por nuk i tërhiqte dot, sepse i kishte lënë me interes të paprekshëm, derisa t’i shkonin 7 milionë franga.

Burime të Gazetasi.al që morën pjesë në hetime, treguan se si gjatë vitit 2018 , avokati i njohur shqiptar, u kontaktua nga 51-vjeçari nga Kosova dhe se sipas konsulencës, mashtruesi i tregoi se i nevojitej një avokat shumë i aftë për të zhbllokuar llogaritë bankare.

Për këtë veprim, ai firmosi një prokurë të posaçme për avokatin, në të cilën i jepte të drejta për veprime dhe përfaqësim. Kaq ka mjaftuar, që avokati i njohur të paguajë darkën e takimit në mbajtur në një hotel luksoz në kryeqytet dhe fjetjen e 51-vjecarit. Fatura e parë, kushtonte 2.500 euro. Por ajo nuk ishte asgjë, pas asaj që do vinte më pas.

“L.M., gjatë takimit, më tregoi se është nga Gjakova dhe jeton në Zvicër prej 1998-ës, më tha që ishte dëbuar prej andej, pasi kishte qenë i martuar me një shtetase zvricerane , që diktoi lidhjen jashtë martesore me shtetasen R.B., dhe për këtë, ai u akuzua për dhunë në familje. Pasi kishim diskutuar në rrjetet sociale dhe biseduam për zgjidhjen që duhej t’i jepja si avokat, ai udhëtoi drejt Tiranës, ku darkuam në hotelin “E”. Në prani të bashkëjetueses më kërkoi ndihmë për akomodimin, darkuam në një restorant peshku dhe më premtoi se gjithçka do ta dokumentonte dhe se sapo të tërhiqte paratë, do t’i kthente”, – denoncon avokati në polici.

Nën pretendimin se kishte nevojë për ndihmë mjekësore, i duheshin vizita në spital dhe se i duheshin ilaçe për të blerë, ai i ka zhvatur avokatit vlerën e 1 milionë e 20 mijë euro, që të gjitha të pranuara prej tij dhe të firmosura përpara noterëve.