Udhëtimi dy mujor i ka dhuruar Peter Toth-it mjaft material për të krijuar një nga videot më të bukura të Shqipërisë.

Bashkë me partneren e tij, Cecilia Fazekas, Peter Toth kaloi më shumë se dy muaj në disa prej destinacioneve më të njohura të vendit. Fotot e tyre arrijnë të tregojnë magjinë e këtyre të fundit në mënyrë të përkryer. Çifti është shprehur se Thethi, Mali i Korabit, dhe Berati me Kanionin e Osumit kanë qenë disa prej vendeve që i kanë lënë pa fjalë.


Kanioni i Osumit. Foto nga Peter Toth dhe Cecila Fazekas.
“Zona malore veriore e Tethit dhe Valbonës është një pikë alpinizmi të nivelit botëror ashtu si edhe mali i Korabit në pjesën lindore. Ka disa qytete të vjetra shumë të veçanta dhe të lashta si Kruja, Gjirokastra apo Berati. Të tre janë ende relativisht të panjohur në botën ndërkombëtare të turizmit. Kanioni madhështor i Osumit është gjithashtu fenomen spektakolar por lista vazhdon me aq shumë atraksione të tjera natyrore as që është vërtet e vështirë të besohet.” – Peter Toth

Tashmë, Peter Toth, apo siç njihet në median sociale, @petey_dx ka lançuar filmin e tij të shkurtër ku përmbledh me mjeshtëri përvojën e tij në Shqipëri. Videon e gjeni në kanalin e tij të YouTube, i cili rreshton edhe plot vende të tjerë si Kroacia apo Montenegro dhe videot e tyre përkatëse.

“Duam t’ua dedikojmë këtë film shqiptarëve!”

Peter dhe Cecilia ua rekomandojnë Shqipërinë me shumë entuziazëm të gjithëve! Ata i falënderojnë veçanërisht vendasit për mikpritjen e tyre, ndihmën dhe tolerancën e tyre të pahasur prej çiftit në vendet e tjera. “Vërtet,” shkruan Peter Toth poshtë videos së tij, “një prej kombeve më të ngrohtë e mikpritës që kam takuar gjatë udhëtimeve të mia në botë!”

Video i fton udhëtarët e botës të eksplorojnë bukuritë e Shqipërisë. Aq bukur e prezanton vendin ky film sa ka shumë mundësi që të tërheqë vëmendjen e shumë prej tyre. Madje, Peter ofron edhe të ndihmojë me informacion të saktë të gjithë ata që mund të kenë pyetje për vendet e prezantuara.