Në vendin tonë procesi i vaksinimit ka pasur ngecje për shkak të dilemave nëse duhet të merret apo jo vaksina.

Mirëpo këtë dilemë e ka sqaruar në një intervistë në emisionin Doktor Plus, Valbon Krasniqi, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Ai ka qartësuar se ekzistojnë vetëm dy- tri raste kur njerëzit nuk do të vaksinohen.

“Nëse në të kaluarën cilëndo vaksinë e kanë marrë kanë pasur reaksione të alergjisë atëherë preferohet që të mos vaksinohen”.

“Nëse pas marrjes së dozës së parë të vaksinës kanë zhvilluar reaksione alergjike atëherë preferohet që mos ta marrin dozën e dytë si dhe eventualisht nëse pas marrjes së dozës së parë kanë zhvilluar efektet tjera anësore siç është mpiksja e gjakut, mirëpo këto efekte anësore si alergjia, si mpiksja e gjakut janë jashtëzakonisht të rralla, madje statistikat thonë që vetëm 4 deri në 8 persona që marrin vaksinën nga 100 mijë banorë mund të zhvillojnë efekte të tilla anësore, prandaj kjo nuk është arsyeja për të mos u vaksinuar “, ka thënë Krasniqi.

Përkundër këtyre rasteve, ai i inkurajon qytetarët që të vaksinohen duke thënë se të dyja llojet e vaksinave që po përdoren në Kosovë janë të efektshme.

“Llojet e vaksinave që përdoren në Kosovë, si ajo Pfizer, si ajo AstraZeneca janë të sigurta dhe janë efikase. Pra cilado vaksinë që është e disponueshme dhe cilëndo vaksinë që keni mundësi me marrë unë do të ju kisha preferuar që ta merrni dhe ju kisha sugjeruar që ta merrni”, ka thënë Krasniqi.