Shkrimi i një gjuhe të folur përbën një histori mjaft interesante. Alfabeti pellazg, me sa duket, ka ardhur te ne nëpërmjet fenikasve. Pasi, ashtu siç e perfeksionuan zejtarët fenikas zejtarinë egjiptiane, në atë masë sa mbreti Solomon i thirri për të ndërtuar tempullin e tij në Jerusalem, po në atë mënyrë fenikasit zëvendësuan hieroglifet e ndërlikuara egjiptiane me alfabetin e parë, në të cilin çdo tingull shprehej me anë të një simboli të thjeshtë.

Madje, edhe mallrat e tyre më të çmuara prej metali, qelqi e fildishi nuk ishin aq të rëndësishme sa ky sistem shkrimi, që u përhap nga tregtarët e tyre anembanë pellgut të Mesdheut. Shumë nga popujt që huazuan simbolet fenikase, i modifikuan ato në mënyrë që të shprehnin tinguj të ndryshëm të gjuhës së tyre.

Në të vërtetë është pohuar se „çdo alfabet i botës së qytetëruar e ka prejardhjen nga alfabeti fenikas“. Karakteret apo simbolet pellazge nuk kanë mbijetuar në dorëshkrime, por ato janë gjetur në mbishkrime mbi gur, qeramikë e, më vonë, në monedha. Alfabetet e ndryshme, gradualisht, u bënë shenja dalluese të kulturave apo qytetet-shteteve të ndryshme.

Për rrjedhojë, kur kolonitë greke e rrethuan pellgun mesdhetar e, madje, kaluan edhe përtej tij, secila prej tyre përdorte shkrimin karakteristik të shtetit nga e kishte prejardhjen. Kështu, p.sh., shkrimi kalkidik, i përdorur në Kumae dhe Neapolis, në Kampinia të Italisë së Jugut, ishte ai i qytetit të origjinës, Kalkis, në ishullin grek të Eubeas. Shkrimi dorik, i gjetur në Korkyrë (Korfuz) dhe Sirakuzë, ishte nga qyteti i origjinës, Korinti.

Mirëpo, këto alfabete të ndryshme shpeshherë shtonin ose humbisnin simbole gjatë përshtatjes së tyre me dialektet vendase. Edhe alfabeti etrusk nuk u zbulua nga mbishkrimet nëpër vazo, të importuara nga Athina e Korinti dhe të gjetura në varret etruske, por nga ato në varret e monumentet e tyre prej guri. Këto mbishkrime, sipas autoriteteve shkencore, përcaktojnë origjinën e alfabetit etrusk nga Kalkisi i Eubeas. Tabelat krahasuese dëshmojnë për origjinën e njëjtë të alfabetit etrusk dhe të katër alfabeteve të tjera italike: latin, faliskan, umbrian dhe oskan.

Nga krahasimi i ngjashmërive dhe i ndryshimeve të këtyre katër alfabeteve, Isak Tejlor pati mundësi të rindërtonte alfabetin amë, të përdorur nga kolonët e parë në Itali, dhe e cilësoi atë si „pellazg“. Alfabeti pellazg i rindërtuar është krahasuar me atë etrusk dhe katër të tjerët në të njëjtën tabelë.

Veç kësaj, monedhat e prera në Kalkis përmbajnë shkronja, nga të cilat mund të rindërtohet edhe alfabeti i tyre. Tejlori pohon se një krahasim midis dy rindërtimeve përcakton përfundimisht se alfabeti pellazg i Italisë e kishte prejardhjen nga alfabeti primitiv i Kalkisit.

Ky përfundim mbështetet, gjithashtu, nga fakti se monedhat e hershme etruske ndoqën standartet e peshës dhe format numizmatike të monedhave eubease, kur mbishkrimet përdornin të njëjtin alfabet.

Nga ky studim krahasues i disa alfabeteve të lashtë shohim se grekët dhe romakët i bazuan alfabetet e tyre në atë fenikas dhe, veç kësaj, përfitojmë alfabetin pellazg të rindërtuar. Gjithashtu, përcaktojmë origjinën pellazge të popullsisë etruske në Itali, gjë që mbështet shkencërisht pohimet e Tuqididit, Dionisit, Virgjilit e të tjerëve.

Fjalori dhe gjuha pellazge

A.J. Van Windekens, profesor në Universitetin e Luvenit, në Belgjikë, ka shkruar rreth një gjuhe të lashtë indoevropiane, të cilën e quan pellazge. Ai nguli këmbë se shumë fjalë në greqishte mund të shpjegohen si të prejardhura nga një gjuhë parahelene, të cilën e quajti pellazge.

Struktura morfologjike e emrave të përveçëm dhe e toponimeve përkon me një gjuhë paragreke. Ata që u vendosën të parët në pellgun e Egjeut, para ardhjes së grekëve, i quan „proto-indoevropianë“. Pjesa e parë e punimit të tij përfshin studimin fonetik të zanoreve dhe të bashkëtingëlloreve pellazge. Pjesa e dytë merret me formimin e emrave, në mënyrë të veçantë me prapashtesimin, emrat e përveçëm dhe toponimet. Emrin e perëndeshës Athina, për shembull, e shpjegon si të prejardhur nga fjala at (baba), e gjetur në shqipe e në gjuhë të tjera indoevropiane, por me një prapashtesë femërore, që e bën atë nënë.

Van Vindekens vërejti se toponimet pellazge gjenden të përhapura nga Azia e Vogël e deri në Itali, por veçanërisht në Iliri dhe në Greqinë e sotme. Këto emra vendesh ndeshen në Greqi më me shumicë se në çdo vend tjetër, kurse emrat pellazgë të njerëzve dhe të hyjnive gjenden vetëm në greqishte.

Kjo e bëri Van Vindekensin të besonte se popullsia më e dendur, që fliste gjuhën pellazge, ndodhej në Greqi. Më tej, ai shtoi se gjuha ilire ishte zhdukur, duke lënë pas vetëm disa emra të përveçëm, të cilët gjenden në dorëshkrimet greke e latine. Sikur gjuha ilire të ishte ruajtur si greqishtja, ai besonte se numri i emrave të përveçëm dhe i fjalëve të tjera do të dëshmonin se popullsia pellazge në Iliri do të kishte po atë dendësi të madhe si në Greqi.

Grekët, ilirët dhe italianët gjetën në brigjet mesdhetare një gjuhë, nga e cila huazuan një numër të madh fjalësh që shënonin sende të njohura e të panjohura.

Ata e asimiluan qytetërimin pellazg, duke e pasqyruar këtë në fjalorin e huazuar. Janë identifikuar shumë fjalë pellazge, që përdoren për të shënuar kafshë të tilla si: gomar, derr, pëllumb, salamandër e hardhucë, si edhe fjalë të tjera që shënojnë bimë, minerale, vegla muzikore, lojëra, lundrim, tregti, ndërtim, artin e luftës, gjueti, familje, shoqëri e besim.

Prania e kaq shumë huazimeve dëshmon se grekët, ilirët dhe italianët as e zhdukën dhe as e dëbuan menjëherë popullsinë pellazge, të cilën e gjetën në ato treva. Pushtuesit duhet të kenë bashkëjetuar me vite të tëra me pellazgët, duke huazuar, kështu, një pjesë të mirë të fjalorit të tyre. Van Vindekens arriti në përfundimin se grekët, ilirët dhe italianët nuk mund të kenë qenë indoevropianët e parë, që u vendosën në Evropën Jugore dhe në Azinë e Vogël.

Ata janë paraprirë nga pellazgët. Ndonëse nuk e datoi ardhjen e pellazgëve, ai ishte i sigurt se ata u vendosën në gadishull para ardhjes së fiseve helene të Jonëve, aty midis viteve 2000 e 1600 p.e.s.

Vetëm atëherë kur pakica jone u përforcua me ardhjen e eolëve dhe akejve, rreth vitit 1500 p.e.s., si edhe me dorët luftëtarë, rreth vitit 1000 p.e.s., ata ishin në gjendje të nënshtronin pellazgët e të zëvendësonin qytetërimin e tyre. Autori është i bindur se pellazgët u larguan nga djepi i tyre indoevropian në të njëjtën kohë me hititët, shpërngulja e të cilëve sigurisht që i paraprin asaj të grekëve.