Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti edhe zyrtarisht ka thyer premtimin e parë që kishte bërë gjatë zgjedhjeve dhe pasi fitoi ato, ai deri pakë dite kishte thënë se qeveria që drejton ai do të ketë vetëm 12 ministri, por edhe zyrtarisht kjo ka ndryshuar dhe do t’i ketë 14 ministri,

Kurti duket se tani ka pësuar përmbysje të shpejtë të qëndrimeve politike, pasi i zënë ngushtë nga ‘standardet’ që vetë i kishte proklamuar, ai tashmë ka filluar me shpejtësi të madhe të tjetërsohet.

Kujtojmë se Kurti në fillim ishte shumë këmbëngulës në reduktimin e dikastereve qeveritare, madje aq shumë saqë edhe propozimin e LDK’së për ta ndërtuar një qeveri me 16 ministri e kishte hedhur poshtë, duke këmbëngulur vetëm në 12 ministri.
E të gjitha këto po i arsyeton deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi duke thënë se oferta e fundit e bërë nga Vetëvendosje në adresë të LDK’së është si rezultat i bisedimeve pas vitit të ri.

Ai ka thënë se situata e krijuar pas 26 dhjetorit kur u zgjodh Glauk Konjufca në krye të Kuvendit e ka krijuar një momentum të ri për shtimin e dy ministrive ku njëra nga to do t’i shtohet LDK-së e tjetra me Kushtetutë u takon minoriteteve.

Deputeti i Vetëvendosjes thotë se oferta e kësaj partie ndaj LDK-së nuk lidhet me parimet e së kaluarës që ka ndodhur pasi sipas tij parimet duhet të vendosen njëherë e mirë.

Ai thotë se për herë të parë Vetëvendosje pos shtimit të një ministrie ka marrë një zotim edhe për Presidentin ashtu siç ka kërkuar LDK.

Kujtojmë se dy nënkryetarët e LDK’së, Agim Veliu dhe Lutfi Haziri kanë deklaruar muaj më parë se Isa Mustafa do të jetë kandidati për president në vitin 2021 nga radhët e LDK’së..