Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian nuk mundën që të binin dakord sot për caktimin e një date për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Lajmin e bëri të ditur në një konferencë për mediat, ministrja e Punëve të Jashtme të Portugalisë dhe njëherësh zv/presidentja e BE-së për Transparencën Ana Paula Zacarias.

Duke folur nga Brukseli, gazetarja Erisa Zykaj theksoi në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC se presidenca portugeze, siç deklaroi Zacarias bëri gjithçka që ishte e mundur për të kënaqur të dyja palët, por kjo nuk qe e mundur.

Tashmë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do t’i hedhin sytë nga presidenca sllovene që nis më 1 korrik dhe samiti i BE që do të mbahet në tetor. Gazetarja Zykaj shpjegoi se ndoshta mund të krijohet një mundësi për zgjidhjen e ngërçit pasi në Bullgari ka zgjedhje në korrik.

“Kjo u jep më shumë shansin shteteve anëtare që të shtojnë presionin ndaj qeverisë së re të Bullgarisë në mënyrë që ajo të gjejë një marrëveshje me Maqedoninë e Veriut dhe t’i hapë rrugë të dyja momenteve të rëndësishme për vendet. Së pari aprovimi i kuadrit negociues dhe së dyti, pas këtij kuadri, të fiksohet një datë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare që shënon hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet.