Mbrëmja e së mërkurës dhuroi një atmosferë ndryshe në Tiranë, ku grupi arbëresh “Shega”, prezantoi  albumin e parë, i cili vjen në gjuhën arbëreshe. Ky koncert dhuroi atmosferë festive tek publiku, të cilët kërcenin dhe këndonin bashkë me grupin. Artistët u shprehen se interpretimi në Shqipëri është një ëndërr e bërë realitet për ta.

Mbrëmjen e së mërkurës, Tirana mirëpriti grupin arbëresh të muzikës “Shega”, të cilët me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, prezantuan në Tiranë albumin e tyre të parë, me titullin “Shega”, si emri i bendit.

4 artistët e grupit, Giorgo Fusco, Severio Guzzetta, Giorgo Culla dhe Alessandro Ferantelli dhuruan atmosferë festive tek publiku, mes tyre edhe fëmijë, të cilët u argëtuan nën tingujt e muzikës arbëreshe, që vinte tek ta me tinguj të pastër dhe melodiozë.

Artisët u shprehën se nuk është hera e parë që vijnë në Shqipëri për të interpretuar, por emocionet që marrin, janë si të ishte gjithmonë një herë e parë.
Për ta, prezantimi i albumit në vendin e origjinës, është një ëndërr e bërë realitet.

Të pyetur nëse shqiptarët e duan muzikën arbëreshe dhe si janë pritur në Kosovë, ku ata ishin fillimisht, vokalisti i grupit Giorgo Fusco, i njohur ndryshe si Gjergj, u shpreh se interesi ishte i madh dhe shpresojnë që edhe albumin e dytë, ta prezantojnë po në Shqipëri.

“Qifti”, “Botë e Paqe”, Kalivar dhe “Zëmbra Jime” janë titujt e këngëve të albumit të parë, i cili vjen 7 vite pas bashkimit të tyre rastësor në një grup.