Ka ardhur lajmi që ndoshta të gjithë ishim duke e pritur. Është nxjerrë nga kampi Al-Hol në Siri, 11-vjeçari shqiptar, Alvin Berisha.

Referuar mediave në gjuhën arabe 11-vjeçari që preku zemrat e të gjithë shqiptarëve, tani ndodhet në një vend të sigurt.

Sipas të njëjtave burimeve operacioni i Alvinit ende nuk është çuar deri në fund pasi pritet që ai shumë shpejt të bashkohet me babin dhe motrat e tij në Itali.

Operacioni i shpëtimit u realizua në bashkëpunim me “Gjysëm Hënën siriane”, Kryqi i Kuq ndërkombëtar si dhe me autoritet italiane dhe shqiptare. Të kontaktuar nga Shqiptarja.com, asnjë nga autoritetet shqiptare nuk e konfirmon lajmin.

Priten nga minuta në minut më shumë detaje.

Historia e Alvinit preku zemrat e gjithë shqiptarëve, pasi që në moshë të vogël u mor nga nëna e tij për t’iu bashkuar ISIS-it. Që prej asaj kohe babai i Alvinit, Afrim Berisha, nuk reshti kurrë së e kërkuari, derisa mori mbështetjen e emisionit italian “Le Iene”, të cilët bënë të mundur takimin mes të dyve.

Përpjekja e shtetit shqiptar ishte e vogël e kjo u duk edhe nga ftohtësia për ngjarjen, e ambasadorit shqiptar në Turqi, Gent Gazheli, i cili nuk ndihmoi aspak në çështjen e 11-vjeçarit shqiptar.