Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se e ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Evropian, në kuadër të fjalimit të saj të parë në Parlamentin Evropian për gjendjen në këtë bllok.

“Besimi është themel i një partneriteti të fortë, dhe Evropa përherë do të jetë e gatshme të ndërtojë partneritete të forta me fqinjtë më të afërt. Kjo nis me Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Megjithatë, ajo ka i ka theksuar problemet e besimit që i ka aktualisht BE-ja me Mbretërinë e Bashkuar, rreth negociatave për marrëveshje tregtare.

Ajo u është kthyer arritjeve më të rëndësishme sa i përket integrimit të rajonit në BE gjatë vitit të kaluar.

“Vendimi, gjashtë muaj më parë, për t’i hapur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte njëmend historik. Në të vërtetë, e ardhmja e tërë rajonit është në Bashkimin Evropian. Kemi të njëjtën histori, të njëjtin fat”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës, e jo vetëm një vendndalje në “Rrugën e Mëndafshtë”.

“Së shpejti do ta prezantojmë Pakon për Rimëkëmbjen ekonomike të Rajonit, duke u fokusuar te një numër i nismave për investime”, ka deklaruar Von der Leyen.