Gjendja lidhur me Kosovën është pothuajse e pashpresë, por jam krenar se si jemi mbajtur në Paris, ka deklaruar të dielen mbrëma presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke i paralajmëruar serbët se i pret një “betejë e rëndë”.

Vuçiqi, në një intervistë për televizionin serb Pink ka thënë se Kisha nuk duhet të përzihet në politikë, “por duhet të bisedojmë”.

Intervista e presidentit serb vjen pas video-konferencës së organizuar nga BE-ja mes tij dhe kryeministrit Avdullah Hoti.

Kjo video-konferencë, e mbajtur të dielen, do të pasohet nga një takim mes tyre, të enjten në Bruksel, duke e shënuar edhe rifillimin e dialogut.