I dërguari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, ka përfunduar një takim me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren serbe Ana Brnabiç.

Në takim kanë qenë të pranishëm edhe Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq, dhe ministra tjerë të Qeverisë së Serbisë.

Pas takimit kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç dhe kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-së (DFC), Adam Boehler, nënshkruan marrëveshjen e përbashkët e menjëherë pas nënshkrimit u prezantua hapja e zyrave të DFC në Beograd.

Këtë zyre në Beograd do ta udhëheq amerikani John Jovanoviq që me prejardhje është nga Serbia.

Presidenti Vuçiq pas takimit dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes ka thënë se pas plot 140 viteve ka arritur të rikthejë bashkëpunimin ekonomik me SHBA-të.

Vuçiq gjithashtu ka falënderuar Presidentin Trump për respektin e treguar ndaj Serbisë dhe për gatishmërinë për të dëgjuar kërkesat e Serbisë, pasi që këto kërkesa nuk ishin dëgjuar më parë.

Ndërsa Vuçiq ka thënë se Grenell ka shprehur idenë për të rinovuar bashkërisht Shtabin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila është e dëmtuar që nga bombardimet e NATO-s “natyrisht duke ruajtur format historike dhe arkitektonike, në përputhje me faktin se ndërtesa është nën mbrojtjen e shtetit dhe qytetit” ka shtuar Vuçiq.

Richard Grenell pas takimit ka deklaruar se SHBA dhe Presidenti Trump do të përmbushin premtimet ndaj Serbisë dhe Presidentit Vuçiq.

Tutje  Grenell ka thënë se duhet një periudhë kohore prej 1 viti për të treguar rezultate nga këto marrëveshje, ndërsa ka theksuar se temat politike duhet të presin, ndërsa ka paralajmëruar edhe një vizitë të mundshme të Donald Trump në Beograd.

Më herët edhe dhomat e Tregtisë të Serbisë dhe Kosovës kanë nënshkruar në Beograd një deklaratë të përbashkët, në bazë të së cilës do të formohet një ekip i përbashkët për bashkëpunim ekonomik.