Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin, i ka reaguar ashpër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pasi ky i fundit është duke qëndruar në Kosovë për një vizitë dy ditore, si rezultat i zhvillimeve të fundit politike të krijuara pas publikimit të aktakuzës për presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e PDK’së, Kadri Veselin.

Vulin ka përmendur raportin e Dick Martyt, dhe sipas tij nëse Rama do ta lexonte me vëmendje atë, do të kuptonte se çfarë ka ndodhur.

“Nëse Edi do të kishte nderin për të lexuar raportin e Dick Martyt, ai do ta dinte se si janë hequr organet dhe si janë shitur atonë territorin e shtetit që Rama është kryeministër”, ka thënë Vulin.

Tutje Vulin, thotë se Rama është për pajtim për aq kohë sa një gjë e tillë nënkupton ndëshkim dhe heshtje të serbëve përballë idesë së krijimit të “Shqipërisë së Madhe”

“Ramës i pëlqen që të flas për pajtim por vetëm për sa kohë ajo nënkupton ndëshkim dhe heshtje për serbët përballë idesë së krijimit të Shqipërisë së Madhe”, ka thënë Vulin.

Tutje ai ka thënë se i vetmi lider që dëshiron paqe në Ballkan është Aleksander Vucic, derisa thotë se miqësisë së Ramës nuk duhet besuar më.

Këto reagime të Vulin kanë ardhur pas publikimit të një video nga Edi Rama ku flitet për krimet e Serbisë në Kosovë.