Ministri i brendshëm i Serbisë dhe  kryetari i Lëvizjes Socialiste të Serbisë, Aleksandar Vullin, ka thënë se një deklaratë e tillë e Thomas Schieb “nuk i ka hije një ambasadori gjerman” dhe pretendoi se “bombardimi i Serbisë ishte një mizori në vitin 1941 si dhe në vitin 1999”.

Vullin tha se “më 6 prill, ditën kur Gjermania ekzekutoi mijëra beogradas në Luftën e Dytë Botërore, Schieb do të duhej të vizitonte varrezat dhe të vendoste kurora, e jo të arsyetojë bombardimin e Serbisë të prillit të vitit 1999”.

“Një arrogancë e tillë i takon një komandanti gjerman të okupimit të Serbisë, por jo ambasadorit gjerman në Serbi”, ka shprehur Vullin edhe një herë mentalitetin e tij të kohës së Millosheviqit.

Vullin ka pretenduar se “copëtimi i Serbisë në vitin 1941 ishte një mizori si edhe copëtimi i Serbisë në vitin 1999 dhe se në vitin 1999 RF e Jugosllavisë u sulmua për shkak të refuzimit të nënshkrimit në Rambuje të zhdukjes së saj” dhe për qëndrimin e saj ndaj, “pakicës shiptare”, siç ka ai zakon të përdorë fjalën fyese për shqiptarët.