Në tre numrat e kaluar jemi përpjekur të japim një panoramë të plotë mbi përpjekjet dhe fatin e ushtarakëve shqiptarë të cilët ndoqën Zogun dhe familjen e tij pasi u larguan nga Shqipëria në vigjilje të pushtimit Italian drejt Turqisë.

Dega S.O.E, e Shërbimit Sekret Britanik në Stamboll ka monitoruar rregullisht jo vetëm këta ushtarakë të ushtrisë Mbretërore por edhe komunitetin shqiptar në përgjithësi duke u përpjekur të rekrutojë persona të ndryshem nga ky komunitet.

Dokumentet e Shërbimit Sekret Britanik janë dëshmi të rralla të përpjekjeve që një pjesë e shqiptarëve të Stambollit dhe ushtarakët Zogistë bënin për të mbajtur gjallë një lloj shprese për një rikthim të mundshëm në Shqipëri me mbështetjen e Anglezëve.

Eshtë shumë e rëndësishme për të kuptuar se çfarë bëhej në prapaskenat e Shërbimit Britanik S.O.E në Stamboll pasi do të ishte kjo degë e Shërbimit e cila do të kishte edhe ndikimin më të madh në vitet që do të vinin përsa i përket ngjarjeve në Shqipëri.
Në vazhdim të publikimit të dokumenteve mbi Shqipërinë të Shërbimit Sekret S.O.E do të lexojmë një dëshmi mjaft interesante mbi përfshirjen e vullnetarëve shqiptarë në vigjilje të luftës së Dytë Botërore në forcat e Legjionit të Huaj Francez një nga forcat ushtarake më elitare në Europë të cilat edhe sot konsiderohet si krenaria e forcave komando Franceze.

Interesant është fakti se 38 vullnetarët e parë shqiptarë i janë bashkuar forcave të Gjeneralit Francez De Gol në Siri por përse ata kanë zgjedhur për tu bashkuar me Legjionin e Huaj Francez mbetet për tu zbuluar.

Ky fakt deri më tani i panjohur jep një pamje mjaft interesante të përfshirjes së shqiptarëve në ngjarjet me rëndësi të madhe politike evropiane siç është edhe formimi i forcave ushtarake Franceze në Sirinë e kontrolluar nga Franca e cila nuk e njihte regjimin që bashkëpunonte me Gjermaninë Naziste.

Historiografia shqiptare deri më tani ka shkruar mjaft mbi vullnetarët shqiptarë të cilët ju bashkuan forcave republikane në Spanjën e largët.

Por Shqipëria komuniste e cila sigurisht për këtë kontribut të rëndësishëm në fatin e Spanjës republikane është krenuar gjithmonë nuk ka pasur asnjë të dhënë mbi kontributin e të rinjve shqiptarë në fatin e Forcave të Lira Franceze të udhëhequra nga Gjenerali De Gol të cilat ishin edhe fillesa e ushtrisë së ardhshme franceze.

Sipas dokumentit që botohet sot vullnetarët shqiptarë të cilët me sa duket kanë qenë të rinj emigrantë që punonin në Turqi i janë bashkuar Legjionit të Huaj me vullnet të plotë dhe duke kërkuar me vendosmëri një rrjeshtim nën flamurin shqiptar duke kontribuar kështu edhe pse në një mënyrë modeste në rreshtimin e Shqipërisë në formacionin e rëndësishëm të aleateve Franko-Britanikë të cilët sapo kishin filluar luftën e tyre kundër forcave naziste.

Lista e plotë e vullnetarëve shqiptarë që do të botohet në numrin e ardhshëm meriton të futet në librat e historisë së rezistencës shqiptare kundër nazizmit edhe pse ka kaluar mjaft kohë që nga ajo ditë kur këta të rinj të panjohur për vendin e tyre mbajtën lart Flamurin Shqiptar në Sirinë e largët.
Dokumenti
Shqiptarët, në fundin e vitit ’41 dhe fillim të vitit ’42 vazhdonin që të angazhoheshin me trupat e aleatëve për të qenë pjesë e tyre në shërbimet e legjioneve të huaja për në Palestinë.

Dokumenti i servirur, me numrin 11/274/Alb të shërbimeve sekrete britanike, tregon për herë të parë për fatin e rreth 38 vullnetarëve shqiptarë të cilët do t’u bashkoheshin forcave të gjeneralit De Gol për në Siri. Në fakt, dokumenti na jep një pamje të vërtetë të shqiptarëve të asaj kohe.

Të ardhur nga regjimi i Mbretit Zog, menjëherë pas braktisjes që ky i fundit i bëri Shqipërisë, ata duket se ishin të rritur me disiplinë.

Dokumenti tregon se të gjithë shqiptarët ishin të pajisur me pasaporta, dhe kjo tregon edhe rregullat dhe mënyrat me të cilën funksiononte në atë kohë monarkia në Shqipëri.

Por nga ana tjetër, në dokument theksohet se patjetër ata do të kishin përfunduar edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Sepse askush sipas dokumentit të shërbimit sekret britanik, nuk mund të linte Shqipërinë në rast se nuk kishte kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Por sipas dokumentit që botohet edhe me faksimile, duket se për britanikët “shqiptarët janë të padisiplinuar” dhe nga ana tjetër “nuk janë të fortë”.

Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me vitet e gjata të emigracionit të tyre por edhe për ata që kishin qëndruar në Shqipëri, nga varfëria e tejskajshme.

Nga Auron Tare