…andaj silluni si i tillë. Ju i humbni nervat kur nuk i lejohet vizita presidentit serb në Kosovë, ndërsa heshtni kur në Serbi zbulohet edhe një varr masiv me shqiptarë dhe kur zyrtarët e lartë të Beogradit kërcënojnë serbët që bashkëpunojnë me drejtësinë. Heshtja juaj ndaj Beogradit, zoti Lajçak, e dëmton rëndë kredibilitetin tuaj, rrjedhimisht edhe gjasat për marrëveshje mes dy palëve.
Së fundi autoritetet kosovare nuk i kanë dhënë leje presidentit të Serbisë për të vizituar Kosovën. Bashkë me Aleksandar Vuçiqin në Kosovë do të qëndronin edhe zyrtarë të tjerë të lartë të Beogradit. Tani i dërguari i BE-së për «dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës», diplomati sllovak Mirosllav Lajçak, i ka dërguar kryeministrit të Kosovës një letër përmes së cilës ankohet se ndalimi i vizitës së delegacionit serb shkel lirinë e lëvizjes, shkel marrëveshjet dhe mund të shkaktojë tensione në terren. Zoti Lajçak me sa duket i humb nervat vetëm kur është në pyetje presidenti serb dhe Serbia zyrtare. Rrjedhimisht, Lajçak sillet si avokat i Beogradit dhe jo si ndërmjetësues i BE-së, pra i 27 shteteve, mes tyre janë 22 që e kanë pranuar Kosovën si shtet.

Ndaj provokimeve të njëpasnjëshme të palës serbe kundër Kosovës, Lajçak sillet si i shurdhër. Ose bëhet si i tillë. Sepse Beogradin nuk duhet ngacmuar. Kësisoj, Lajçak nuk e pa të nevojshme të protestojë kur para disa javësh ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq (tani kryetar i Kuvendit të Serbisë) në një emision televiziv hapur, publikisht, kërcënoi serbët që po tregojnë se ku gjenden varrezave masive me shqiptarë në territorin e Serbisë. Daçiq bënte thirrje hapur për sabotim të drejtësisë. Indirekt i shpallte tradhtarë ata qytetarë që duan t’i ndihmojnë drejtësisë.

Ditë më parë në një gurore në komunën e Rashkës afër kufirit me Kosovën është zbuluar varreza e pestë masive në territorin e Serbisë me viktima shqiptare të vrarë nga forcat shtetërore serbe. Në përshkrimin e vendit të tij të punës Lajçak thekson se është përgjegjës edhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit perëndimor. Rrjedhimisht, ai do te duhej të fliste edhe për plagën e hapur, siç janë viktimat të cilat i ka fshehur Serbia. Qe 20 vjet. Por për këso «imtësish» Lajçak, me sa duket, nuk ka kohë, as interesim. Andaj nuk thotë asgjë. E udhës do të ishte që zbulimi i kësaj varreze masive të nxiste një reagim robust të BE-së ndaj Serbisë, përfshirë edhe kërkesën eksplicite për t’i dhënë fund politikës shtetërore të fshehjes së krimeve të luftës nga Beogradi.

Mirosllav Lajçak ka qenë ambasador i Sllovakisë në Beograd kur më 2001 në Batajnicë u zbulua varri masiv me kufoma të civilëve shqiptarë, që forcat serbe i kishin transportuar nga Kosova në Serbi për të fshehur gjurmët e krimeve. Në Beograd Lajçak ka qëndruar ambasador deri në vitin 2005, pra ai ka pasur rast më shumë se njëherë të jetë i informuar për këtë kapitull të errët të politikës serbe. Si ndërmjetësues i BE-së ai mund të kërkojë që të vizitojë Batajnicën dhe të shpreh respekt ndaj viktimave dhe solidaritet ndaj familjeve të tyre. Do të mund të kërkonte Lajçak leje nga autoritetet serbe që Batajnicën apo varrezat e tjera masive me shqiptarë t’i vizitojë bashkë me ndonjë zyrtar të lartë të Kosovës, për shembull me kryeministrin, kryetaren e Kuvendit apo një delegacion që do ta caktonte pala kosovare.

20 vjet pas zbulimit të varrezës masive në Batajnicë, autoritetet serbe nuk lejojnë vendosjen e një pllake në kujtim të viktimave shqiptare. Madje Serbia ka ndërmarrë hapa që të ndalohet me ligj kujtimi i viktimave që kanë shkaktuar regjimet serbe. Siç shpjegon Nora Visoka Weller nga Universiteti i Cambridge-it, në qershor 2018 Kuvendi i Serbisë miratoi një ligj të ri që rregullon ndërtimin dhe ruajtjen e memorialeve dhe gjithashtu përfshin propozimet për shkatërrimin e memorialeve ekzistuese. Sipas këtij ligji, përmendoret e reja duhet të shpjegojnë se në çfarë mënyre përkujtohen ngjarjet e luftërave të fundit dhe sa janë në përputhje me të dhënat e luftërave të fundit që shteti serb i konsideron si «luftëra çlirimtare të Serbisë». Sipas Weller, ky ligj është problematik për shumë arsye, por veçanërisht për shkak se e bën të paligjshme çdo përpjekje për të përkujtuar shqiptarët e Kosovës të vrarë gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë, të cilët u transportuan dhe u hodhën në varreza masive gjithandej në Serbi.

Për këso detajesh Lajçak nuk interesohet, por as burokratët e shumtë të Bashkimit Europian, të cilët më shumë preferojnë të flasin për «palët në konflikt në vitet 90-të» se sa të emërojnë agresorin (Serbinë) dhe viktimat (nga Sllovenia në Kosovë). Nuk është dëgjuar të protestojë Lajçak as kundër fashistit Aleksandar Vulin, tani ministër i Brendshëm serb, i cili prej vitesh i ofendon shqiptarët me shprehjen pezhorative e raciste «shqiptar», ndonëse kjo është e ndaluar me ligj edhe në Serbi. Ishte planifikuar që Vulin të jetë pjesë e delegacionit të Vuçiqit që do të vinte në Kosovë.

Nëse Lajçak nuk ka ndjeshmëri të zhvilluar politike për të kritikuar palën serbe, e cila prej vitesh saboton çdo përpjekje për përparim dhe stabilitet në Kosovë, atëherë i dërguari i BE-së do të mund të bënte një gjest që do të ishte sinjal edhe ndaj Serbisë: Lajçak do të mund të shkonte në Mejë dhe të nderonte qindra viktima shqiptare të terrorit serb. Por as këtë nuk do ta bëjë Lajçak, ndonëse BE është laureate e Çmimit Nobel për Paqe dhe angazhohet për të drejtat e njeriut.

Është krejt në rregull që pakica serbe në Kosovë të gëzojë të gjitha të drejtat sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, me këtë shumica shqiptare në Kosovë nuk ka ndonjë problem, por a vlejnë këto standarde edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët Serbia po i dëbon nga vatrat e tyre me akte burokratike, duke i fshirë nga regjistrat civilë dhe duke i diskriminuar në të gjitha mënyrat e mundshme? Kjo heshtje e BE-së është skandaloze dhe krijon përshtypjen se një serb i Kosovës vlen sa 10 shqiptarë të Luginës së Preshevës.

BE duket se nuk e sheh të nevojshme të protestojë e kërkojë llogari nga Beogradi kur Partia Socialiste e Serbisë propozon ngritjen e një monumenti të Sllobodan Millosheviqit në kryeqytetin serb, kur kryeministrja Ana Bërnabiq në qendër të Berlinit thotë se Srebrenica nuk ka qenë gjenocid, kur mohimi i gjenocidit në Srebrenicë është bërë trend politik në Serbi, kur çdo paraqitje e artistëve nga Bosnja apo Kosova në Beograd shndërrohet në arenë për demonstrim egërsie të qarqeve nacionaliste serbe vetëm për shkak se artistët tematizojnë krimet serbe të luftës, kur ministria e Mbrojtjes e Serbisë boton e promovon librat e kriminelëve të dënuar të luftës, kur revizionizmi historik është bërë politikë shtetërore serbe.

Për aq kohë sa Mirosllav Lajçak sillet si avokat i Serbisë dhe ledhatues i Aleksandar Vuçiqit, gjasat për marrëveshje mes Kosovës e Serbisë janë zero. Sepse me deklaratat e tij të njëanshme Lajçak po e dëmton rëndë kredibilitetin e tij. Sjellja e Lajçakut është edhe simptomë e nivelit të ulët të përfaqësimit politik të Kosovës. Me një qeveri e cila varet direkt nga votat e filialit të partisë së Vuçiqit në Kosovë, gjasat që interesat e Kosovës të mbrohen me vendosmëri janë të vogla. Kjo shihet edhe në qasjen që demonstruan kryeministri i Kosovës dhe anëtarja e kabinetit të tij që bëhet sikur drejton punët e jashtme. Ajo tha se Vuçiqi nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë derisa të «kërkojë falje për gjenocidin» e Beogradit në Kosovë. Kryeministri e relativizoi këtë përbetim të ministres së tij duke thënë se marrëveshja për lëvizje të lirë do të respektohet, por tani për tani situata është e ndjeshme. Ky kaos në vendimmarrje dhe kjo tollovi e komunikimeve të ndryshme me publikun ia bën edhe më të lehtë Mirosllav Lajçakut që të sillet me mospërfillje ndaj kësaj qeverie.