Zv.kryeministri Driton Selmanaj ka lajmëruar mbi themelimin e “Zyres për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës”, që u bë sot nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka pretenduar se “koha e deklaratave populiste dhe iniciativave të parealizuara përfundoi”.

Selmanaj pretendon se shqiptarët e Luginës së Preshevës tashmë do të kenë adresën institucionale për të kryer punë në Republikën e Kosovës.

Kjo zyre me theks të veçantë do të angazhohet në fushën e arsimit e të kulturës, furnizimit me tekste të domosdoshme shkollore, dhe furnizimit të bibliotekave me libra të nevojshëm.

Lajmërimi i plotë:

Koha e deklaratave populiste dhe iniciativave e premtimeve të parealizuara përfundoi. Më në fund shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës tashmë kanë adresën e tyre insitucionale në Zyrën e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Zyra për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës” e themeluar sot nga Qeveria e Kosovës, angazhohet të ndërmarrë masat e nevojshme që të lehtësojë dhe përmirësojë jetën e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës në fushat si në vijim, por duke mos u kufizuar vetëm në to:

Në fushën e Arsimit dhe Kulturës:

– Furnizimi i rregullt me tekste të domosdoshme shkollore;

– Furnizimi i bibliotekave me libra të nevojshëm;

–  Do të mbështeten iniciativat e nisura më parë (siç është Memorandumi për Bashkëpunim në mes të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe memorandume të tjera, financimi i ndërtimit të shkollës së muzikës etj.);

– Pranimi i studentëve nga Lugina e Preshevës në Universitetet Publike bazuar në kuotat e përcaktuara që marrin parasysh nevojat e institucioneve arsimore dhe institucioneve të tjera në Luginë si dhe mbështetja e tyre gjatë studimeve; Mbështetja e aktiviteteve kulturore dhe aktiviteteve sportive;

– Mbështetja e mediave lokale dhe OJQ-ve të cilat në objektivat e tyre kanë aktivitetet arsimore, kulturore dhe rinore;

Në fushën e ekonomisë:

– Mbështetje e bashkëpunimit të shoqatave të bizneseve nga Kosova me bizneset dhe shoqatat nga Lugina e Preshevës;

– Mbështetje e bizneseve nga Lugina për të marrë pjesë në panaire dhe organizime të tjera biznesore në Kosovë;

– Inicimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërkufitar të komunave në Kosovë dhe ato në Luginë;

– Përcaktimin e një kuote për qytetarët e Luginës në Programin e trajnimit për zanate të ndryshme.

– Mbështetje tjetër sipas nevojës dhe legjislacionit në fuqi.

Zyra do trajtojë edhe çështjet të tjera që nuk janë listuar në këtë vendim por që dalin si kërkesa dhe nevoja eventuale nga qytetarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Urime Kosovë Lindore!

Urime shqiptarë!