Me ftesë të autoriteteve qeveritare kroate, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, me delegacionin nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së, sot mori pjesë në manifestimin përkujtimor, respektivisht Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Luftës së Atdheut dhe Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Vukovarit dhe Shkabrnjës.

Ky manifestim u organizua në shënim të 30-vjetorit të thyerjes së mbrojtjes së Vukovarit në vitin 1991 nga forcat serbe, si dhe masakrës në popullatën civile kroate nga forcat serbe në Vukovar dhe Shkabrnjë.

Zëvendësministri Syla, përveç nderimeve më të larta shtetërore dhe ushtarake, u takua edhe me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq, ministrin e Mbrojtjes, Mario Banoziq dhe ministrin e Veteranëve kroatë të luftës, Tomo Medved.

Me këtë rast, liderët shtetërorë kroatë shprehën admirimin dhe mirënjohjen e lartë për kontributin e luftëtarëve shqiptarë në Betejën për Vukovarin dhe përgjithësisht në luftën çlirimtare të Kroacisë. Mesazhi kryesor nga këto takime ishte se historia e përbashkët e dy popujve tanë është bazament i fuqishëm për të ndërtuar edhe të ardhmen e përbashkët si dy vende dhe kombe, miq të natyrshëm.