Zyrtarja Ellen Weintraub, e cila është pjesë e Komisionit Federal të Zgjedhjeve, ka thënë se vërtet nuk ekziston asnjë dëshmi për manipulimin e votave, duke e demantuar republikanin Donald Trump, i cili vazhdimisht po ankohet se ka pasur manipulime gjatë numërimit.

“Zyrtarët lokalë dhe shtetërorë si dhe punëtorët e qendrave të votimit në tërë vendin vërtet kanë marrë masa dhe ka pasur shumë pak ankesa për mënyrën se si janë menaxhuar këto zgjedhje”, tha kjo zyrtare për televizionin CNN.

“Nuk ka ndonjë dëshmi të asnjë lloj manipulimi me vota. Nuk ka dëshmi që janë hedhur vota joligjore. Në të vërtetë, ju nuk keni nevojë të mbështeteni vetëm në fjalën time, sepse njerëzit në tërë vendin, ekspertë jopartiakë të zgjedhjeve, kanë dalë dhe kanë parë se si është menaxhuar procesi”, shtoi ajo.

Më herët, presidenti Donald Trump pretendoi se votat janë pranuar në mënyrë ilegale pas orës 20 në ditën e votimit, duke u ankuar se kjo ka mundur ta ndryshojë rezultatin në shtetet ku gara është e ngushtë. Sidoqoftë, ai nuk paraqiti ndonjë dëshmi për këtë pretendim.

Në anën tjetër, rivali i tij, Joe Biden, nuk ka hedhur akuza në drejtim të autoriteteve, por ka bërë thirrje për qetësi dhe durim, duke kërkuar që të gjitha votat të numërohen.

Joe Biden ka më shumë gjasa për fitore, sepse është në epërsi në shumicën e shteteve ku gara është e hapur – në Pensilvani, Nevada, Arizona dhe Georgia, ndërsa Trumpi është në epërsi vetëm në Karolinën Veriore.